Dy persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi këtë të diel në Barcelonë.
Sipas autoriteteve, drejtuesi i njërës prej makinave ishte denoncuar pak minuta para përplasjes nga punonjësit e një parkingu për shkak të mënyrës së rrezikshme të drejtimit. Pas njoftimit, policia u vu në ndjekje të automjetit.
Në përpjekje për t’iu shmangur efektivëve, shoferi humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një automjet që ishte ndalur në semafor. Si pasojë e goditjes së fortë, të dy drejtuesit e mjeteve humbën jetën në vendngjarje.
Në vendin e aksidentit ndërhynë menjëherë ekipet e zjarrfikësve, të cilët nxorën nga automjeti një person të plagosur. Ai u transportua me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë, ndërsa autoritetet presin rezultatet e autopsisë dhe analizave toksikologjike për të përcaktuar nëse shoferi kishte konsumuar substanca të ndaluara ose nëse vuante nga ndonjë problem shëndetësor që mund të ketë ndikuar në ngjarje.

Be First to Comment