E RËNDË NË GREQI/ Dyshime tronditëse për 90-vjeçaren, nëna e saj dyshohet se e fshehu vdekjen
Një ngjarje e rëndë po hetohet në Maratonë të Greqisë, ku një grua dyshohet se e ka fshehur vdekjen e nënës së saj 90-vjeçare dhe më pas e ka varrosur në pronën e familjes. Rasti është zbuluar pas një denoncimi nga mbesa e të moshuarës, e cila kishte humbur kontaktet me gjyshen prej rreth një dekade.
Gruaja, e cila është marrë në pyetje nga autoritetet, ka folur për vështirësitë ekonomike me të cilat pretendon se përballej. Sipas deklarimeve të saj, ajo nuk kishte mundësi të përballonte të gjitha shpenzimet dhe për këtë arsye dyshohet se nuk e kishte deklaruar vdekjen, duke vijuar të përfitonte pensionin.
Në një intervistë për emisionin “Live News”, ajo tha se nuk e kujton me saktësi momentin kur nëna e saj ndërroi jetë.
“Jo, nuk e kujtoj saktësisht. Djali im e dinte. E kisha vendosur përpara. Ai nuk më ndihmoi. Thirra një punëtor për ta transportuar. Ishte vonë, por jo natë”, deklaroi ajo.
Gruaja pretendon gjithashtu se e ëma kishte probleme shëndetësore dhe shpesh rrëzohej. Ajo tha se përpiqej t’i siguronte ushqim, por pranoi se nuk mund ta bënte gjithmonë.
Kur u pyet për vendin ku i kishte treguar autoriteteve se ishte varrosur nëna, ajo u përgjigj se ua kishte treguar vetë vendndodhjen.
“Po, ua thashë”, deklaroi ajo, duke mohuar ndërkohë se kishte kryer ndonjë veprim të paligjshëm.
Ish-bashkëshorti: “Gjithë jetën ka pasur probleme”
Në media ka folur edhe një prej ish-bashkëshortëve të gruas. Ai e përshkroi atë me tone shumë të ashpra dhe tha se, sipas tij, ajo kishte pasur probleme prej vitesh.
Ai pretendoi gjithashtu se gruaja u kishte treguar familjarëve versione të ndryshme për vendndodhjen e nënës së saj dhe se kishte përmendur një azil pleqsh.
Familjarët kishin besuar se 90-vjeçarja ishte në azil
Historia nisi të zbardhej pas denoncimit të mbesës së 90-vjeçares. Sipas familjarëve, ajo nuk kishte qenë në Greqi për një periudhë të gjatë dhe nuk kishte dijeni se gjyshja e saj kishte ndërruar jetë.
Babai i saj tha se vajza nuk kishte pasur dijeni për fatin e gjyshes, pasi kishte qenë vazhdimisht jashtë vendit.
Sipas tij, gruaja kishte deklaruar më herët se e kishte dërguar nënën në një azil pleqsh në zonën e Pentelit.
Edhe bashkëshortja aktuale e babait të denoncueses tha se familja kishte marrë informacion se 90-vjeçarja kishte vdekur, por pa pasur detaje të qarta për rrethanat.
Fqinjët flasin për sjellje të pazakontë
Ngjarja ka tronditur edhe banorët e zonës. Fqinjët e gruas thanë për “Mega” se sjellja e saj u ishte dukur e pazakontë, edhe pse nuk kishin imagjinuar një situatë të tillë.
Një prej tyre tha se kishte vënë re mënyrën e veçantë se si sillej gruaja, ndërsa një tjetër pranoi se ishte tronditur kur mësoi për ngjarjen.
Edhe djali i gruas ka deklaruar se nëna e tij i kishte thënë se “e kishte sistemuar” të moshuarën, por ai nuk kishte menduar se pas kësaj fshihej një ngjarje e tillë.
Ai tha se kishte dëgjuar nga nëna e tij se ajo kishte marrë disa para, por nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur.
Arrestohen vajza dhe nipi i 90-vjeçares
Pas denoncimit, vajza dhe nipi i 90-vjeçares u shoqëruan dhe më pas u arrestuan, ndërsa hetimet vijojnë.
Sipas informacioneve të raportuara, autoritetet dyshojnë se e moshuara kishte vdekur rreth 10 vjet më parë dhe se vdekja e saj nuk ishte deklaruar.
Gjatë kontrollit në banesë, në bodrum u gjetën mbetje njerëzore që dyshohet se i përkasin 90-vjeçares. Sipas burimeve të cituara nga mediat greke, bëhej fjalë për mbetje skeletore dhe për këtë arsye në vendngjarje u thirr një antropolog.
Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e dy familjarëve për mosnjoftimin e autoriteteve për gjetjen e një personi të vdekur.
Ndërkohë, dyshimet për përfitim të pensionit të 90-vjeçares pas vdekjes së saj pritet të shqyrtohen në një procedim të veçantë penal.
Hetimet do të duhet të përcaktojnë rrethanat e sakta të vdekjes, kohën kur ajo ka ndodhur dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.
